Pse disa njerëz nuk ndryshojnë kurrë stil, për shembull Flori Mumajesi?

Më zgjoni kur Flori Mumajesi të mos veshë më bluzë të zezë.

Çfarë kanë të përbashkët pothuajse të gjitha veshjet e Flori Mumajesit nëpër dalje të rëndësishme, si koncerte apo festivale? Po, bluza e zezë, xhinset e errëta dhe atletet. Gjithmonë njësoj.

Flori, si shumë të tjerë, është një nga ata që nuk ndryshon kurrë stil. Cilat mund të jenë arsyet që i shtyn njerëzit të mos ndryshojnë? Të mos merakosen fare se çfarë do të veshin dhe të mos guxojnë kurrë?

Dikush prej jush mund të thotë se “ashtu u pëlqen”. Patjetër që qëndron si arsye, mirëpo nuk është e vetmja. Ja disa arsye që mendojmë se ndikojnë shumë, jo detyrimisht në rastin e Florit, por në përgjithësi.

1 – Identiteti: Identiteti ynë ndikon te mënyra se si marrim vendimet, përfshirë këtu edhe veshjen. Është shumë e lehtë të krijosh një identitet rreth gjërave të dukshme, të jashtme, të cilat lidhen me çfarë jemi, pra të brendshmen tonë. Shumë njerëz nuk e duan ndryshimin sepse thjesht nuk u përshtatet dhe nuk i përmbush. Dëshira për t’i qëndruar besnik identitetit të tyre është më e fortë se dëshira për të ndryshuar.

2 – Lidhja me të njohurën: Psikologjikisht, njerëzit priren të lidhen më shumë me atë që është e njohur për ta, tërhiqen nga gjërat që e dinë se u përshtaten. Diçka e re, jashtë stilit tonë, mund të na vendosë në dyshim dhe kështu me shumë gjasë do të përfundojmë te ajo që zgjedhim gjithmonë. Pak a shumë si kur sheh menunë – e lexon të gjithën dhe merr të njëjtën gjë si përherë.

3 – Po sikur të shkojë keq? Disa njerëz thjesht nuk e duan ndryshimin sepse nuk preferojnë të gabojnë. Për ta është e rëndësishme të qëndrojnë në një terren të sigurt.

4 – Thjesht ndihen mirë dhe nuk e mendojnë shumë: Kjo është arsyeja jonë e preferuar. Kaq e thjeshtë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *