Së shpejti mund të aprovohet ilaçi i parë që ngadalëson zhvillimin e sëmundjes Alzheimer

Aducanumab, ilaçi i parë i pretenduar për të ngadalësuar zhvillimin e sëmundjes Alzheimer, mund të jetë i disponueshëm deri në vitin 2022, nëse miratohet nga autoritetet rregullatore në Shtetet e Bashkuara.

Nga kompania Biogen thonë se ilaçi i tyre do të ishte i pari që mund të ngadalësojë zhvillimin e sëmundjes Alzheimer në një fazë të hershme. Ata presin që të marrin “dritën e gjelbër” muajin e ardhshëm. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se ky bar nuk ka aftësinë për të kuruar këtë sëmundje.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) do të vendosë më 7 qershor nëse do të miratojë përdorimin e këtij ilaçi. Bari mund të aprovohet edhe në Mbretërinë e Bashkuar deri në fillim të vjeshtës.

“Është me të vërtetë e rëndësishme të shohim se si shkojnë terapitë e para për modifikimin e sëmundjes. Ky është një hap i rëndësishëm në ndryshimin e të gjithë fushës kërkimore”, ka thënë për Mirror, dr. Susan Kohlaas, e cila punon në Qendrën Kërkimore të Alzheimerit në Mbretërinë e Bashkuar.

Demenca senile shkakton një rënie të vazhdueshme të funksionit të trurit, e cila mund të ndikojë në kujtesë, shpejtësinë e të menduarit, të folurit, gjendjen shpirtërore dhe lëvizjen. Aducanumab, i zhvilluar nga Biogen me bazë në Massachusetts, synon të ndihmojë në pengimin grumbullimit të dëmshëm nga truri të proteinës së quajtur beta-amiloid.

Hulumtimet klinike u ndërprenë vitin e kaluar, pasi u tregua se bari nuk kishte efekt. Megjithatë, nga Biogen më vonë thanë se analiza fillestare e rezultateve ishte e pasaktë dhe se të dhënat shtesë të mbledhura treguan se aducanumab ishte efektiv në doza të mëdha.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *