Një shtet miraton vaksinën kineze për fëmijët mbi moshën 6-vjeçare

Autoritetet shëndetësore të Kilit e kanë miratuar vaksinën e kompanisë Sinovac për fëmijët mbi moshën 6-vjeçare.

Heriberto Garcia, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik, tha se institucioni e miratoi masën e re me pesë vota për dhe një kundër, shkruan The Guardian.

Tani, Ministria e Shëndetësisë duhet t’i përcaktojë datat dhe mekanizmat për fillimin e vaksinimit.

Miratimi i vaksinës për fëmijët mbi moshën 6-vjeçare ndodhi në kohën kur shteti i Amerikës Latine i ka vaksinuar plotësisht mbi tri të katërtat e të rriturve.

Universiteti Katolik i Kilit është duke kryer një studim me 4.000 fëmijë të moshës 3 deri 17-vjeçare për t’i studiuar efektet e vaksinës së kompanisë Sinovac në ta, por Garcia tha se ekspertët e institutit e morën vendimin duke u mbështetur në rishikimin e të dhënave nga laboratori i prodhuesit dhe në informatat e publikuara në revista shkencore.

Në Amerikën Latine, pak shtete e kanë miratuar përdorimin e vaksinës së kompanisë Pfizer vetëm te fëmijët mbi moshën 12-vjeçare. Sidoqoftë, Kina e ka miratuar përdorimin e vaksinave të Sinovac dhe Sinopharm për fëmijët mbi moshën 3-vjeçare.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *