Propozimi i ZRRE-së për tarifat e reja të rrymës – sa pritet të rritet çmimi i faturave të energjisë?

Zyra e Rregullatorit për Energji në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë.

ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh energji elektrike në muaj.


“Subvencioni i dhënë nga Qeveria e Kosovës efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesor të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë deri në 600 kWh për muaj”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.

Në raport, ZRRE propozon që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 12.31 eurosh.

Ndërsa, konsumatorët që shpenzojnë 1,000 kWh rrymë në muaj të paguajnë 24.62 euro më shumë të çmimit të rrymës.

Nëse Qeveria nuk i ndan subvencionet, ZRRE thotë se e konsideron të nevojshëm rritjen e çmimit të rrymës edhe për kategoritë tjera.

Në këtë rast, ZRRE propozon që tarifat e energjisë elektrike të ndryshohen në mënyrë që për konsumatorët biznesor të paguajnë 9 për qind më shumë.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi nuk do të ketë rritje të tarifave për bizneset.

“Nuk pritet të ketë rritje të tarifës së energjisë elektrike, për kategorinë e bizneseve”, ka reaguar Rukiqi në Facebook.

Rritje e çmimit të rrymës me të njëjtën përqindje është propozuar edhe për amvisëritë, të cilat konsiderohet se shpenzojnë deri në 600 kWh energji në muaj.

Për këtë propozohet që aplikimi i tarifës prej 0.21 euro kWh për energjinë e shpenzuar në kohën e tarifës së lartë gjatë ditës dhe 0.09 euro kWh për energjinë e shpenzuar në tarifën e ulët gjatë natës.

Bazuar në të dhënat e Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), konsumi mesatar nga viti 2012 – 2020 për amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh në muaj është rreth 460 kWh muaj.

Konsumi mesatar gjatë 2021-së për amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh/muaj energji elektrike është rreth 440 kWh.

Gjatë vitit, 44 për qind e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj.

Konsumatori me konsum 600 kWh në muaj paraqet konsumin bazik minimal të një konsumatori me ngrohje elektrike gjatë dimrit, në bazë të analizave gjatë vendosjes së bllokut në tarifat e kaluara, 69 për qind të konsumatorëve nuk kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit dhe 79 për qind të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë nivel gjatë muajve të verës.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *