Marrja e 100 eurove nga shteti, punëtorët e sektorit privat duhet ta plotësojnë këtë kusht

Ministria e Financave sot ka bërë të ditur se është hapur aplikimi për punëtorët e sektorit privat që të marrin mbështetjen prej 100 eurove të ndara nga Qeveria e Kosovës.

Për përfitimin e kësaj shume punëtorët e sektorit privat duhet të plotësojnë një kusht me rëndësi të cilin e ka paraparë Ministria e Financave.

“Kusht për kualifikim për mbështetje nga kjo masë është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore shkurt 2022”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministria bën të ditur gjithashtu se punëtorët të cilët janë deklaruar nga punëdhënësi në periudhën tatimore mars 2022, mund të aplikojnë, mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, që nënkupton se subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022.

Aplikimi për mbështetje nga kjo masë do të jetë i hapur nga data 21 prill deri më 20 maj 2022.

Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.

“Për herë të parë do të mbështesim me shumë të menjëhershme prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat, pra rreth 300 mijë punonjës.

Po ashtu, kjo shumë do të ndahet edhe për 80 mijë zyrtarët publik.

Studentët do t’i përkrahim me shumë të menjëhershme prej 100 euro, ku do të përfitojnë 80 mijë studentë”, kishte deklaruar Kurti./Telegrafi/

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.