Shkumbin Qehaja është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka falsifikuar dokumente pronësie që lidhen me prona nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, shkruan Insajderi.

Sipas dyshimeve, Qehaja në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte manipuluar me dokumentet e pronave shtetërore, duke i bartur ato në pronësi private përmes procedurave të rreme të legalizimit.

Më pas, këto prona dyshohet se janë shitur tek blerës të ndryshëm, të cilët janë mashtruar në proces, ndërsa autorët kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari është përfshirë në disa vepra penale, përfshirë “Falsifikim i dokumentit”, “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, “Mashtrim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Gjatë operacionit policor janë kontrolluar një shtëpi, tri banesa dhe dy garazha, ku janë gjetur dhe konfiskuar dokumente të ndryshme që lidhen me falsifikime, si dhe pajisje të përdorura për prodhimin e dokumenteve false.

Po ashtu, Policia ka sekuestruar një armë zjarri (pistoletë) me 103 fishekë, një telefon celular, një orë dore “Rolex” dhe një zinxhir dore “Rolex”.

Personi i arrestuar ka qenë edhe më herët cak i hetimeve. Ai është gjykuar për korrupsion.

Njoftimi i plotë:

“FALSIFIKIM I DOKUMENTIT & LEGALIZIM I PËRMBAJTJES SË RREME & MASHTRIM & ARMËMBAJTJE PA LEJE- Prishtinë / 2021-2024. Më 01.11.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale të cekura më lartë. Dokumentet dyshohetet se janë falsifikuar lidhur me pronat e përfshira që kanë qenë nën menagjimin e AKP-së të cilat prona përmes dokumenteve të falsifikuara i dyshuari në bashkëkryerje me persona tjerë kanë arritë ti falsifikojnë dokumentet që në procedura për bartje dhe legalizim i kanë bartur nga prona shtetërore në pronësi private, pastaj i kanë shitur duke mashtruar blerësit dhe nga këto para kanë përfituar shuma të mëdha financiare. Janë bërë kontrolla në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazha ku janë konfiskuar dokumente të ndryshme që kanë lidhje me falsifikime si dhe pajisje që janë përdorë për falsifikimin e dokumenteve. Gjatë operacionit është konfiskuar një pistoletë me 103 fishek, një telefon celular, një orë dore rolex dhe një zingjir dore rolex. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *